Askujt prej nesh nuk ia priste mendja, se ajo e dielë pasdite e dedikuar tërësisht qetësisë, shoqerisë dhe shfaqjes së një show do të bëhej një nga ditët më të rëndësishme për ne dhe Qendrën Komunitare Aleanca LGBT.
Gjithcka nisi kur prezantuesi Adi Krasta ftoi në skenë të ftuarin e rradhës.
Nga errësira e prapa skenës filloi të merrte formë një figurë e çuditshme, një paruke që ndriçonte nën efektin e prozhektorëve dhe zëri i trashë i një burri tërhoqi vëmendjen e publikut, në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.
Personazhi shqiptoi një: Mirëmbrema!, sa të çalë dhe të bukur, dhe publiku sërisht nisi të duartrokasë.
Diku nga mesi i sallës qendronte një grup të rinjsh, që ndoshta ishin të vetmit që brohoritën kur Platinette doli në skenë.
Sigurisht një pjesë e mirë e spektatorëve, pavarësisht influencës së mediave italiane në shoqerinë shqiptare, ishin të mahnitur për të mos thënë të shtangur dhe të shokuar, nga kjo trajtë gjigante me sjelljen sensuale dhe xhentile të një dame dhe zërin e një burri.
Dikush në rreshtin para nesh u kthye dhe më pyeti: -Po kjo cfarë është burrë apo gru mër jahu?
Genta, një nga mikeshat e mia që qendronte e ulur në të majtën time me ironi iu përgjigj: Si t’a ndiej, edhe ashtu edhe kështu.
Burri me çudinë më të madhe sikur t’i kishin thënë; ore fluturoi gomari, kthehet përpara duke i thënë gruas: më duket se këta qënkan ashtu..
Ndërkohë në skenë, Adi sapo kishte ftuar Platinette të ulej në karrigen e të ftuarve, një karrige që të kthente pas në kohë, në Francën e “Belle Epoch” ashtu sikurse e gjithë skena dhe muzika që skenaristi dhe regjizori kishin përzgjedhur.

Platinet shquhet për sensin e saj të humorit dhe me një buzëqeshje pak djallëzore shikoi karrigen ku duhej të ulej por diçka nuk shkonte, trupi i saj i rëndë dhe formoz nuk mund të qendronte me komoditet në karrigen e ngushtë. Pianisti që gjendej në krahun tjetër të skenës me shpejtësi të rrufeshme i afroi stolin e pianos, por ndërkohë Platinette kishte arritur të pozicionohej në karrigen elegante dhe kishte marrë një pozë kaq të këndshme, këmbë përmbi këmbë dhe me dorën që shoqeronte të folurën me gjeste dhe levizje aq femërore dhe sensuale, sa do ti bënte zili çdo femre.
Sigurisht nuk mund të qendronte pa hedhur batutën e rradhës pasi i ranë në sy hiret e pianistit të ri dhe i drejtohet Adi Krastës
erò, carino il ragazzo eee ( epo goxha bukurosh djali)!
Në sallë shpërtheu e qeshura.
Gjatë intervistës Platinette foli për shumë tema, duke filluar nga ekonomia e deri tek politika, nuk harroi të përmendte as emigracionin shqiptar duke folur për një rast mjaft interesant të ndodhur gjatë udhëtimit për në Shqipëri:
-Ishim së bashku me asistentet e mia në avionin e linjës për në Shqipëri, ajo ç’ka më ra në sy, ishte numri i madh i të moshuarve, me siguri ishin njerëz që kishin qenë për vizitë tek të afërmit e tyre. Dy karrige pas meje ishin tre italianë, që gjatë gjithë kohës nuk ju mbyll goja duke folur me zë të lartë dhe duke u zgërdhirë, me siguri ishin të dehur që para se të niseshin.
“Dhe do thoja se Italianët e sotëm, janë Shqiptarët e djeshëm”.
Në sallë shpëthyen sërisht të qeshura.
Pyetjes së Adi Krastes, se cfarë i bëri përshtypje në Tiranë, ajo i’u pergjigj:
-Adi, sot në aq pak kohë sa pata në dispozicion për të parë Tiranën, pashë shumë njerëz, makina, bulevardin e madh të ndertuar nga Italia e tim eti, që ka qenë ushtar në atë kohë. Pashë shumë bare, por ajo ç’ka po kërkoja gjithandej ishte një bar gay. Njerëzit kanë ndjenja dhe ajo ç’ka pëlqej unë mund të mos jetë ajo që pelqen ti por ne s’jemi vrasës, nuk zgjodhëm të ishim kështu por erdhem në jetë të tillë, nuk e vendosëm ne por fuqia e dikujt tjetër. Kërkova në sytë e njerëzve shikimin e një djali gay, por nuk e gjeta, me siguri ai ecën rrugës së tij me koken e ulur që sytë të mos i reflektojnë shikimin, nga frika se mos dikush zbulon atë ç’ka fsheh brenda vetes.
Adi Krasta me një batutë ironike, për të risjellë në humor spektatorët në sallë thotë se me siguri të gjithë këta persona gay janë të martuar.
Mirë e kishte Adi, një pjesë e mirë e tyre vërtetë janë të martuar.
Por zëri i Platinet buçiti fort nga bokset e sallës, po akoma më fort buçiti në zemrat dhe shpirtrat tanë. Një mesazh për ata që ishin dhe që do mund ta dëgjonin, një mesazh për ata që me kokën ulur e me ndjenjën e strukur thellë në fshehtësinë e shpirtit ku askush jo vetëm që nuk do kishte mundësi t’ua lëndonte por as do kishte mundësi të kuptonte. Ai mesazh erdhi tek ne, ata syte e ulur që ajo kishte kërkuar rrugëve të Tiranës ishin pikërisht në rreshtat e sallës së madhe të Pallatit të Kongreseve.
Diçka vloi brenda meje, gati të shpërthente në brohorimë për atë deklaratë aq të bukur, por sytë e qindra vetave dhe frika e kamerës na gozhdoi pas karriges, me deshirën që luftonte ndaj arsyes.
Por zëri i brendshëm, dëshira për të dhënë një shenjë ekzistence në këtë tokë na bëri të vraponim direkt e në back stage, duke mos e çarë kokën për rojet e punëtorët, shkuam të kërkonim atë, “Personazhin me Paruke”.

U vërtitem nëpër sallë duke pyetur punëtorët:
-Ku shkoi ajo zonja me paruke?
Punëtorët e çuditur na përgjigjeshin me pyetje (tipike shqiptare):
-Kush ajo gjëja? Shkoi andej nga dhomat e tjera…
Me nxitim dhe mospërfillje ndaj çdo kujt tjetër që ndeshnim në korridore ecnim në kërkim të “Personazhit me Paruke” (apo asaj gjësë) .
Në hyrjen tjetër na erdhi nga pas roja, që deri në ato momente, mund ta kishim hasur dhjetra herë por me një menefregizëm total.
Na ndaloi, duke na pyetur se kë kerkonim.
I themi se po kerkonim Platinette, zonjën me flokë biond.
Na thotë se është brenda në sallën tjetër por s’mund të na lejonte të hynim, duhet të rrinim jashtë.
Pasi e pyeta nëse kishte dalje tjeter (për të mos rrezikuar ) dhe konfirmoj se dalja e vetme ishte pikërisht ajo, atëherë i them, se do i bënim shoqeri deri sa të dilte dhe se pa takuar Platinet nuk do të shkulesha nga dyert e Pallatit të Kongreseve.
Së bashku me Arbrin, dhe Genten dolëm për të pirë një cigare si për të qetësuar takikardinë që na kapi por gjithnjë duke qenë të vëmendshem mbi çdo lëvizje të mundshme.
Papritur, Adi Krasta sapo mbaron show-n e tij dhe me nxitim po shkonte nga salla ku ishte dhe Platinnete.
Genta e ndalon duke i dalë përpara.
-Adi, duam të takojmë Platinette!!
Adi Krasta nuk po arrinte të kuptonte qëllimin e këtij insistimi dhe po shihte i shpërqendruar.
I afrohem dhe i them në italisht:
“Adi, duam të takonim Platinette, duke qenë se në Tiranë nuk i kishte parë ata sytë që kërkonte. Ato kokat e ulura”.
Krasta me shpejtësi marramendëse, na “urdhëron” t’a ndjekim. Roja dhe të tjerët ngelën të shastisur! Ai na thotë; Sa veta jeni?, Ah..3 ok , shpejt me mua.
Të ndiqje Adin në koridorin që të çonte në sallen ku po zhvillohej kokteili me të ftuarit dhe gjithë trupin diplomatik ishte një sfidë e kushtëzuar edhe nga takikardia që s’na linte të qetë.
Adi si për të na ruajtur nga obiektivi apo mikrofoni kurioz i ndonjë prej gazetarëve të shumtë na ftoi të rrinim në paradhomë.
Genta, Abi dhe unë shihnim njëri tjetrin të trembur dhe të çoroditur nga e gjithë ajo që po ndodhte.
Nuk na besohej që ishim aty, që kishim takuar Adin i cili pas pak do të na njihte me Platinette, një nga figurat më të dashura të televizionit Italian, një prej ikonave më të rëndësishme të lëvizjeve LGBT, kumbara e shumë prej Gay Pride-ve të zhviluar si dhe një prej gazetareve, opinionisteve më të afta italiane.
Dëgjojmë Krasten që në momentin e hyrjes në sallën e kokteilit, ndërpret duartrokitjen e të ftuarve , duke u thënë se do të rrëmbente Platinette vetem për pak çaste pasi disa prej syve që kishte kërkuar në Tiranë dhe sallë ishin aty dhe donin ta takonin.
Zemra na rrihte fortë, shihnim njëri tjetrin në sy duke u përpjekur të gjenim një pikë guximi për të larguar emocionet por ishim të tre në të njëjtën gjendje.
Platinet del, dukë lënë të ftuarit.
Na afrohet dhe na takon njëri pas tjetrit duke përcjellë një ndjenjë mirënjohjeje që e kërkuam, dhe që iu pergjigjëm thirrjes së saj.
-E marr me mend që jeta është e veshtirë për ju! Unë hodha një gurë me shpresën që dikush do të mund të reagonte.
Genta- Nuk është e lehtë të reagosh nën trysninë e kamerave dhe të një salle ku ka edhe persona që të njohin. Por mundohemi të ecim përpara të bëjm dicka jo vetëm për vete por edhe për të tjerët.
Gerti- ështe vërtet e vështirë, as vetë nuk dimë se si arritëm të përmbaheshim kur fole, donim të ngriheshim në këmb por nuk mundëm.
Ndërkohë dikush nga stafi i tërhoqi vëmendjen se amabsadorët po e prisnin, por Platinette me një menefregizëm total iu përgjigj duke i thëne se shqipërinë e vërtetë e kishte përpara syve, aty brenda ishin vetëm një tufë njerëzish të mërzitshëm.
Ishte deklarata e dytë që bënte gjatë mbremjes dhe zgjonte tek ne një farë guximi dhe sigurie.
Platinette na ftoi të futeshim në sallë së bashku me të por pas insistimit tonë për të mos hyrë na ftoi ta prisnim pasi donte të fliste më gjatë.
Gjatë kohës që ndejtëm në sallën e pritjes po zienim nga dëshira për ti treguar atë ç’ka bëjmë çdo ditë, punën e pa lodhshme si vullnetarë te Aleanca LGBT . Një motor energjie ishte ndezur brenda nesh, një mori mendimesh e frike vërtitej në tru. Por akoma s’po na besohej që bëmë një hap të tillë.
Pas gati 20 minutash del e shoqëruar nga një grup i vogël njerëzish pjesë e stafit të saj.
Po bisedonim mbi Qëndrën Komunitare dhe me gëzim të madh shprehu dëshirën për ta vizituar.

Shoferi që i shoqeronte nuk ishte shume i bindur mbi këtë gjë dhe na tha të prisnim pasi të tjerët i merrnin vendimet, për levizjet e saj në Tiranë.
Platinette reagoi me një nervozizëm që rrallë herë e karkterizon duke i thënë se nësë nuk vizitonte Qendrën, nuk do të bënte asnje foto nëpër Tiranë dhe se ishte e gatshme të ikte vetë.
Insistimit të Platinette, shoferi iu përgjigj me një, okay .
Ramë dakort që fillimisht të mbaronin një set fotosh diku pranë Univeristetit dhe më pas të na gjenin në Qendrën e Alencës. Genta dhe shoferi shkëmbyen numrat.
Platinette duke mos u bindur shumë nga kjo levizje, dhe nga frika mos shoferi bënte ndonjë lojë, e kërcënoi duke i thënë se do t’ i shponte të katra rrotat nëse ai do të guxonte ti bënte ndonjë shaka pa kripë dhe nuk do ta sillte në vendin e caktuar.
I gjithë stafi dhe ne shpërthyem në të qeshura duke mos vënë re sesi makinat që kalonin e ulnin shpejtësinë për të parë Platinette.
-Dëgjoni, nëse unë nuk vij dot, dhe nesër lexoni në gazeta se një italiane vrau një shqiptar, me siguri do jem unë.
Sërisht një e qeshur me lot.
Ndahemi.. e lëmë Platinette të bëje fotot dhe vrapojmë në bulevard në kërkim të një taksie, ndërkohw mendonim ishalla nuk vjen ndonjë gazetar se na fiku.
Ndërkohë përpiqesha t’i telefonoja Xhenin, mikeshës sonë, :
-Xhen, ku je, leviz shpejt hajde tek Qendra, Platinette po vjen aty.
Telefonata e dyte brenda pak sekondave:
-Xhen merr aparatin se nuk e kam me vete.
Futemi në Qendër me nxitim përpiqemi të rregulljmë rrëmujen e lënë nga dita e shtunë, dhe akoma s’na besohej që po prisnim Platinette të vinte pikërisht tek ne.
Ndërkohe vjen Xheni, Ili, dhe Blerta.
Sistemojmë, pijmë cigare, dhe ndërkohë shoferi i telefonon Gentës.
Erdhi..
Gjatë ecjes nga makina deri te Aleanca, Genta i shpjegoi Platinet-ës që unë gjatë një party e kisha imituar në veshje dhe të folur. Ajo duke qeshur tha:
-Ah... nuk e dija që paskam një rivale përtej Adriatikut.
Të gjithë qeshën kur Genta i tha se takat të cilat kisha mbajtur gjatë performancës time si Platinette ishin të sajat.
Sapo hyri në qendër, Platinet tha:
-E una mervaiglia! (Është një mrekulli! )
-Nuk e mendoja kurrë se do të gjeja dicka të tillë.
U ul në divanin e kuq tek dhoma e pritjes, ajo ç’ka i ra menjëherë në sy ishte seti fotografik që mbulon një pjesë të murit.
Një set plot me foto ikonash gay, persona që kanë kontribuar në çështjen LGBT.
-Uh Tina Turner, kjo dreq ka kaq shume paruke , me shume se unë!-tha Platinette.
I shpjeguam Platinette dhe gjithe të tjerëve qëllimin e Qendrës, aktivitetet dhe partyt që zhvillojmë.
I treguam mbi situatën aktuale dhe vështiresitë e para në krijimn dhe ngritjen e një Qendre të tillë.
Platinette na dhuroi një kartolinë të sajën në të cilën vendosi dhe një dedikim për Aleancën, duke na dhuruar edhe një puthje të stampuar me buzekuq.
Gjithashtu vendosi një autograf në bluzën e prodhuar për 17 Majin, Ditën kundër Homofobisë.
Ndërkohë, Ili u shperndu të ftuarve të tjerë disa sticker me logon e Aleancës.
Platinett-ës i dhuruam dy bluzat me logon e Alenaces, si dhe Karten e Antaresise V.I.P nr: 200.
Vazhdoi të shuaj kureshtjen e saj, me sa më shumë informacion të ishte e mundur duke pare foto e duke pyetur për çdo detaj.
I treguam për aksionet dhe “Doktoret e Homofobisë” që e lanë të habitur.
-Nuk e merrja me mend, nuk arrij t’a besoj! Kjo është fantastike-thoshte vazhdimisht.
Ndërkohë Shoferi, pak si i lodhur nga gjithçka pyeti disa herë Blertën; -Po kjo është Qendër ..ashtu..
Nuk arrinte të shqiptonte as emrin homosexual ose gej .
Platinette vizitoi çdo ambient dhe pa çdo foto me kënaqesinë më të madhe duke na përgëzuar për iniciativen dhe guximin.
Më pas u largua duke na premtuar një bashkëpunim në muajt në vazhdim, detajet e të cilit do të mësohen me vonë.
Atë natë ndjemë një lumturi dhe ekzaltim gati fëminor, si rrjedhojë e të cilit na zuri gjumi vetëm në orët e para të mëngjesit.
Kjo ishte aventura jonë, fal guximit dhe mbështetjes të Gentës dhe Arbrit që sëbashku ndërmorëm këtë inciativë të cmendur dhe mbresëlënëse.
Përgatiti
Gerti


Artur Tola
tha:
| Bravo Gerti. Gramatika perfekte, emocioni te mbyt gjithandej, dhe e ndjen ne te lexuar se sa shume e keni perjetuar ate nate. E vetmja kritike qe kam eshte huazimi i disa fjaleve te huaja qe e bejne pak sa internacional shkrimin dhe i humbin pak nocion 100Sh;qipetar. Me vjne mire per arritjen guximin dhe deshiren e juaj. Sa do te doja qe edhe une te isha pjese e Levizjes, dhe ti tregoja Shqipetareve se Homoseksualet nuk jane personalizim apo praktike e "Anxheles" por ka dhe me bukur, e me shume. | me: 24/01/2012 ora: 23:20:26 | |
hallo
tha:
| po shume me ka pelqu ju lumt te gjithve sidomos gertit HALLO GERTI TY TE DUA SHUM TE KAM YLL DHE ENGJULL TE QIELLIT BESO O SHPIT I EMBEL SI MJALTI VETUM VAZHDOJE RRUGEN PERPARA KOKE LART MOS TA NIN DHE KURR MA MOS U KTHE MBRAPA BERA LAMTUMIR KISSSSSSSSSSSSSSSSSS. I YTI NGA KOSOVA CIAO. | me: 27/01/2012 ora: 21:17:14 | |
| < Mbas | Tjetri > |
|---|
